STOP dhunës në shkolla! Bashkia Kamëz në bashkëpunim me Grupin e Deputetëve “Miqtë e Fëmijëve”, zvillojnë mbledhjen në gjimnazin “Ibrahim Rugova”

Nën drejtimin e Kryetares së Kuvendit dhe kryetarit të Bashkisë Kamëz u zhvillua sot mbledhja e Grupit të Deputetëve “Miqtë e Fëmijëve”.

Në mbledhje, përveç anëtarëve të Grupit të Deputetëve “Miqtë e Fëmijëve”, morën pjesë edhe përfaqësues nga Ministria e Arsimit dhe Sportit, Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ministria e Rinisë, Agjencia e Fëmijëve, Komiteti Shqiptar i Helsinkit, Instituti Demokratik Kombëtar (NDI) në Shqipëri dhe organizata të tjera të shoqërisë civile, nxënës së Shkollës së Mesme “Raqi Qirinxhi”, Korçë, si edhe mjaft nxënës, mësues e prindër nga Bashkia Kamëz.

Në rendin e ditës së mbledhjes ishte fuqizimi i mekanizmit dhe rritja e efikasitetit të kontrollit e kufizimit të dhunës në shkolla.

Kryetarja e Kuvendit, znj. Lindita Nikolla, pasi falenderoi Kryetarin e Bashkisë Kamëz, z. Rakip Suli, për mbështetjen për organizimin e kësaj mbledhjeje, vuri në dukje se Grupi i Deputetëve “Miqtë e Fëmijëve” po nis një traditë të re, që mbledhjet t’i zhvillojë edhe jashtë Kuvendit, në territor, atje ku ndeshen edhe problematikat e mbrojtjes së të drejtave të fëmijëve.

Kryetari i Bashkisë, Kamëz, z. Rakip Suli, solli përvojën e shkollave të Bashkisë Kamëz në luftën kundër dhunës dhe theksoi rëndësinë e krijimit të kushteve të përshtatshme në kopshte dhe shkolla për rritjen e mirëqenies fizike dhe psikologjike të fëmijëve, si dhe rritjen e ndërgjegjësimit të tyre për të denoncuar çdo lloj dhune ndaj tyre.

Në fjalën e mbajtur në fillim të mbledhjes, Kryetarja e Kuvendit, znj. Lindita Nikolla, nënvizoi se lufta kundër dhunës ndaj fëmijëve në shkolla, është një çështje thelbësore e arsimit dhe një çështje ekzistenciale e shoqërisë. “Shkolla është vendi ku ju merrni cilësinë e dijes, por përtej cilësisë së dijes është vendi ku merrni edukimin me ato vlera dhe qëndrime që janë të nevojshme për t’u zhvilluar nesër si qytetar të denjë të një shoqërie demokratike.

Një raport i fundit i UNESCO nënvizon se rreth 20% e nxënësve janë prekur nga bullizmi që është një fenomen i dhunës dhe që ne duhet ta adresojmë me shqetësim, sepse është një fenomen që haset çdo ditë e më shumë në shkollat tona.”

Ministrja e Arsimit dhe Sportit, znj. Evis Kushi, informoi mbi arritjet, vështirësitë dhe propozimet mbi fuqizimin e mekanizmit dhe rritjen e efikasitetit të kontrollit e kufizimit të dhunës në shkolla. Në raportimin e saj, Ministrja Kushi vuri në dukje se lufta dhe parandalimi i dhunës ndaj fëmijëve në shkolla është një çështje jo vetëm e institucioneve, por e gjithë shoqërisë dhe për këtë qëllim MAS ka ndërmarrë një sërë hapash konkretë dhe politikash për të drejtat e fëmijëve të bazuar në Objektivin e Zhvillimit të Qëndrueshëm- Arsimi 2030.

Ministrja për Rininë dhe Fëmijët, znj. Bora Muzhaqi, informoi mbi fokusin e Ministrisë së Rinisë për luftën kundër dhunës në shkolla dhe pasi i përgëzoi nxënësit për iniciativën e peticionit, vuri në dukje disa nga hapat pozitivë që janë ndërmarrë për parandalimin e fenomenit.

Znj. Erida Skëndaj, Drejtoreshë Ekzekutive e Komitetit Shqiptar të Helsinkit, paraqiti vlerësimet e Komitetit të Helsinkit mbi luftën kundër dhunës në shkolla në kontekstin e mbrojtjes së të drejtave të nxënësve.

Zëvendëskryetarja e Grupit, znj. Ina Zhupa, theksoi se pavarësisht hapave pozitivë të ndërmarra, nevojitet rritja e numrit të psikologëve dhe punonjësve socialë, por dhe oficerëve të sigurisë nëpër shkolla.

Në përfundim të diskutimeve, duke falenderuar për raportimet, diskutimet dhe impenjimin e kontributin e të gjithë anëtarëve të Grupit, Kryetarja e Kuvendit, znj. Lindita Nikolla, nënvizoi se këto diskutime dhe rekomandimet e masat konkrete që u propozuan të mos mbeten në procesverbalin e mbledhjes, por të përkthehen në veprime konkrete, në mbrojtje të fëmijëve e të rinjve nga dhuna.