AlbanianEnglish

Bashkia Kamëz

Home Arti dhe Kultura

Arti dhe Kultura

Në Kamëz në vitin 1953 u krijua klubi i kulturës për t’iu përgjigjur sa më mirë edukimit dhe zhvillimit kulturor.

Në vitin 1955 u krijua ansambli i parë artistik që u pasurua me korin, komplekse vokale, grup valleje, grup teatror dhe grup estrade. Ky ansambël zhvillonte një sërë aktivitetesh edhe në shkallë vendi dhe është nderuar me çmime.

Rritja e popullsisë ka bërë që të shtohen edhe talentet dhe të këtë një larmi kulturash. Mungesa e një qendre kulture deri tani linte për të dëshiruar, por janë organizuar aktivitete në bashkëpunim me shkollat dhe institucione të tjera, të cilat pritet të kthehen në një traditë edhe me ndërtimin e pallatit të ri të kulturës.

Gjatë vitit 2008 vlen të kujtojmë aktivitetin e organizuar me shkollat e Bathores në bashkëpunim me Komitetin Olimpik Kombëtar Shqiptar me rastin e Lojërave Olimpike. Pothuaj çdo vit shkollat organizojnë veprimtarinë me temë “Traditat dhe vlerat tona kombëtare”. Kjo veprimtari organizohet në formën e një ekspozite të gjerë me veshje kombëtare, gatime tradicionale, stoli të vjetra, enë kuzhine etj.

Në vitin 2009, për herë të parë, shkollat 9-vjeçare dhe të mesme të Bashkisë Kamëz në bashkëpunim me spektakël-agjenci “Karabashi” u përfaqësuan në festivalin “Ne sfidojmë”, duke konkurruar me të gjitha shkollat e qarkut Tiranë dhe duke u vlerësuar me çmime shumë të rëndësishme.

Në maj 2009, një grup artistësh të Kamzës, me mbështetjen financiare të bashkisë, morën pjesë në takimin e grupeve folklorike, organizuar në Lezhë.

Viti 2010 pati numrin më të madh të veprimtarive të organizuara në bashkëpunim me shkollat dhe me OJF të ndryshme që veprojnë në bashkinë tonë, ku mund të përmenden: Festa e Karnavaleve, Festa e 1 Qershorit, zhvilluar në mjediset e stadiumit të qytetit, konkursi i fjalës artistike, ekspozita e piktorëve të vegjël, “Zilja e fundit”, festa e maturantëve, “Ne sfidojmë” etj.

Çdo fundvit, për 4 vite rresht, bashkia ka organizuar festën për nxënësit e dalluar dhe nxënësit jetimë. Janë zhvilluar veprimtari të ndryshme me organizata, si: PNUD, Caritasi Shqiptar, World Vision etj.