Bashkia Kamëz miraton Paketën Fiskale 2021, ja të gjitha lehtësirat e parashikuara për qytetarët

Bashkia Kamëz ka miratuar në Këshillin Bashkiak Paketën Fiskale për vitin 2021. Siç shihet në vendimet e marra nga Këshillit Bashkiak, përfitimet do të jenë direkte për të gjithë shtresat dhe qytetarët.

Sikurse këtë vit ku nga vendimet e Këshillit Bashkaik përfituesit ishin thuajse të gjithë qytetarët duke nisur nga të prekurit e tërmetit, banorët që kanë shtëpitë ende në proçes legalizimi, pensionistët, si dhe kryefamiljarët femra dhe të rinjtë që deshën të hapin një biznes etj kategori, edhe për Paketën Fiskale të vitit të ardhshëm prioritet do të jetë qytetari.

Kryetari i Bashkisë Rakip Suli ka qenë i qartë në prioritetet e tij që ditën kur është ulur në detyrën e besuar, duke dhënë propozime konkrete të cilat bashkë me stafin, pas konsultimeve me grupet e interesit si; qytetarët dhe bizneset, tashmë kanë marrë dhe vulën e “parlamentit” lokal, Këshilli Bashkiak Kamëz.

Më konkretisht gjatë mbledhjes së Këshillit Bashkiak u miratuan disa ndryshime të rëndësishme në Paketën Fiskale për vitin 2021. Kryetari i Bashkisë Kamëz Rakip Suli thotë se në këtë mbledhje të Këshillit Bashkiak: “Miratuam vendime të rëndësishme duke treguar përsëri që fokusi ynë janë qytetarët dhe nxitja e iniciativave vendase duke e parë biznesin si partnerin tonë kryesor nëpërmjet hartimit të politikave lehtësuese”.

E në fakt janë vendimet e miratuara në Këshillin Bashkiak që tregojnë qartë se përfitues nuk është thjesht biznesi dhe qytetarët që kanë nisma për të hapur biznese të reja duke stimuluar dhe rritjen e punësimit në qytet, por edhe kategori të tjera që kanë të bëjnë me ulje tarifash nga biznesi i vogël, tek qytetarët që duan të bëjnë ndërtime të reja, heqjen e tarifave të padrejta të qytetarëve që janë në emigracion si dhe për personat me aftësi të kufizuar.

Disa nga vendimet e marra nga Këshillit Bashkiak Kamëz në kuadër të miratimit të Paketës Fiskale për vitin 2021 janë se; çdo biznes i ri që hapet në Bashkinë Kamëz gjatë vitit 2021 do të ketë zero tarifa ndaj Bashkisë Kamëz.

U miratua gjithashtu dhe ulja e tarifës së pastrimit për biznesin e vogël, ulja e tarifës së arsimit për biznesin e madh dhe biznesin e vogël si dhe ulja e tarifës për ndërtimet e reja për shtëpitë nga qytetarët.

Po në mbledhjen e Këshillit Bashkaik u hoqën tarifat për personat që jetojnë në emigrim të cilët deri dje tarifoheshin në mënyrë të padrejtë si dhe heqja e tarifave për personat e me Aftësi të Kufizuar të cilët deri dje tarifoheshin në mënyrë të padrejtë.

Kryebashkaiku Rakip Suli garanton se Bashkia Kamëz do të vazhdojë të jetë në mbështetje të qyetarëve dhe bizneseve duke pohuar se: -“Për ne qytetarët janë të parët”.