Referuar dispozitave ligjore, Ligjit Nr.139/2015 “Për vetëqeverisjen vendore”.
Të drejtën dhe përgjegjësinë e pronësisë:
a) njësitë e vetëqeverisjes vendore ushtrojnë të drejtën e pronësisë. Ato fitojnë, shesin dhe japin në përdorim pronën e paluajtshme ose të luajtshme të tyre, si dhe ushtrojnë të drejta të tjera, sipas mënyrës së përcaktuar me ligj;
b) e drejta e fitimit të pronës, nëpërmjet shpronësimeve për interes publik, nga ana e njësive të vetëqeverisjes vendore, bëhet sipas mënyrës së përcaktuar me ligj;
c) e drejta e pronësisë ushtrohet nga këshilli përkatës, i cili nuk mund t’ia delegojë
ushtrimin e kësaj të drejte askujt tjetër.
Referuar Ligjit Nr.68/2017 “Për Financat e Vetëqeverisjes Vendore”, neni 19 “Të ardhurat nga asetet dhe veprimtaritë ekonomike”:
- Njësitë e vetëqeverisjes vendore krijojnë të ardhura nga dhënia me qira e aseteve në pronësi ose në përdorim të tyre, sipas legjislacionit në fuqi. Të ardhurat nga qiraja konsiderohen të ardhura korrente dhe mund të përdoren për çdo shpenzim të autorizuar në buxhet.
- Njësitë e vetëqeverisjes vendore krijojnë të ardhura nga shitja e pronave të veta, sipas legjislacionit në fuqi.
- Të ardhurat nga shitja e aseteve në pronësi të njësisë së vetëqeverisjes vendore, me jetëgjatësi më të madhe se një vit, konsiderohen si të ardhura kapitale dhe përdoren për qëllime investimi.
- Të ardhurat nga veprimtaritë ekonomike të njësive të vetëqeverisjes vendore dhe dividendi që i përket njësisë së vetëqeverisjes vendore në shoqëritë tregtare fitimprurëse, përveç atyre të shërbimit të furnizimit me ujë dhe kanalizimeve, kalojnë në buxhetin e përgjithshëm të njësisë së vetëqeverisjes vendore.
- Shitja ose dhënia me qira e pronave dhe aseteve të njësisë së vetëqeverisjes vendore, në çdo rast, i nënshtrohet një procedure transparente dhe konkurruese. Asetet dhe pronat e ofruara për shitje ose dhënie me qira duhet të publikohen, së bashku me kriteret që duhet të plotësohen, sipas legjislacionit në fuqi.