Funksionet
Kryetari, mandati, kompetencat dhe funksionet, sipas ligjit të qeverisjes vendore
Neni 39
Kryetari i komunës ose i bashkisë
1 . Çdo komunë ose bashki ka kryetarin e saj të zgjedhur çdo tre vjet në zgjedhje të përgjithshme, të drejtpërdrejta dhe me votim të fshehtë, sipas mënyrës së parashikuar në Kodin Zgjedhor të Republikës së Shqipërisë.
2. Kryetari i komunës ose bashkisë, në kryerjen e funksioneve dhe ushtrimin e kompetencave të tij, ndihmohet nga një ose më shumë zëvendëskryetarë. Numri i zëvendëskryetarëve caktohet nga këshilli komunal ose bashkiak. Emërimi dhe shkarkimi i tyre bëhet nga kryetari i komunës ose bashkisë.
Neni 40
Mandati i kryetarit të komunës ose bashkisë
1. Mandati i kryetarit të komunës ose bashkisë vërtetohet nga gjykata në juridiksionin e së cilës përfshihet komuna ose bashkia përkatëse, brenda 20 ditëve nga data e shpalljes së rezultatit të zgjedhjes së tij.
2. Deklarimi i pavlefshmërisë së mandatit të kryetarit bëhet kur vërehet se nuk plotësohen kushtet sipas nenit 45 të Kushtetutës dhe nenit 10 të Kodit Zgjedhor të Republikës së Shqipërisë.
3. Shpallja e vlefshmërisë së mandatit të kryetarit të komunës ose bashkisë bëhet në mbledhjen më të parë të këshillit komunal ose bashkiak përkatës, ku kryetari bën betimin sipas formulës së përcaktuar në nenin 28 të këtij ligji dhe e nënshkruan atë.
4. Ushtrimi i mandatit të kryetarit të komunës ose bashkisë fillon në çastin kur bën betimin dhe përfundon kur bën betimin kryetari pasardhës.
5. Në rast se këshilli bashkiak ose komunal nuk mblidhet brenda 30 ditëve nga data e shpalljes së rezultatit të zgjedhjeve nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, prefekti organizon ceremoninë e betimit të kryetarit të bashkisë ose komunës në mjedisin e bashkisë ose komunës dhe në praninë e banorëve të njësisë përkatëse.
Neni 44
Kompetencat dhe detyrat e kryetarit të komunës ose të bashkisë
Kryetari i komunës ose bashkisë:
a) ushtron të gjitha kompetencat në kryerjen e funksioneve të komunës ose bashkisë, me përjashtim të atyre që janë kompetencë vetëm e këshillit përkatës;
b) zbaton aktet e këshillit;
c) merr masa për përgatitjen e materialeve të mbledhjeve për këshillin komunal ose bashkiak, në përputhje me rendin e ditës të përcaktuar nga këshilli, si dhe për probleme që kërkon ai vetë;
ç) raporton në këshill për gjendjen ekonomiko-financiare të paktën çdo 6 muaj ose më shpesh, sa herë kërkohet nga këshilli;
d) raporton para këshillit sa herë kërkohet prej tij për probleme të tjera që kanë të bëjnë me funksionet e komunës ose të bashkisë;
dh) është anëtar i këshillit të qarkut;
e) emëron dhe shkarkon zëvendëskryetarin/zëvendëskryetarët e komunës ose të bashkisë;
ë) emëron dhe shkarkon drejtuesit e ndërmarrjeve dhe institucioneve në varësi.
f) emëron dhe shkarkon punonjësit e tjerë jodrejtues të strukturave dhe njësive në varësi të komunës ose bashkisë, përveç kur parashikohet ndryshe në ligjin nr. 8549, datë 11.11.1999 “Statusi i nëpunësit civil”.