Thirrje Publike për Projekt për Rritjen e Sigurisë në Shkolla.
Bashkia Kamëz shpall thirrjen publike në kuadër të rritjes së sigurisë në shkolla, me qëllim krijimin e një mjedisi të sigurt, gjithëpërfshirës dhe mbështetës për nxënësit, mësuesit dhe komunitetin shkollor, si dhe forcimin e rolit të shkollës si hapësirë edukimi, zhvillimi dhe mirëqenieje.
Bashkia Kamëz, me një numër të lartë të nxënësve në sistemin arsimor, përfaqëson një territor me potencial të lartë zhvillimi dhe dinamizëm shoqëror, ku garantimi i sigurisë fizike, psikologjike dhe sociale në institucionet arsimore është një prioritet strategjik për ndërtimin e një të ardhmeje të shëndetshme, të sigurt dhe të qëndrueshëm.
Në këtë kontekst, Organizatat e Shoqërisë Civile luajnë një rol të rëndësishëm në përmirësimin e sigurisë në shkolla, duke kontribuar në krijimin e një mjedisi të sigurt, mbështetës dhe gjithëpërfshirës për nxënësit dhe komunitetin shkollor. Përmes angazhimit të tyre, ato ndihmojnë në forcimin e bashkëpunimit ndërmjet aktorëve të ndryshëm dhe në rritjen e ndërgjegjësimit për rëndësinë e sigurisë në institucionet arsimore.
Kjo thirrje synon të mbështesë veprimtari që kontribuojnë në përmirësimin e sigurisë në shkolla, rritjen e ndërgjegjësimit dhe forcimin e bashkëpunimit ndërmjet aktorëve të ndryshëm të përfshirë në komunitetin arsimor, përfshirë shkollat, prindërit, institucionet vendore dhe Organizatat e Shoqërisë Civile që veprojnë në territorin e Bashkisë Kamëz.
Baza ligjore
LIGJI Nr.139/2015 “Për vetëqeverisjen vendore”, ku përcaktohet organizimi, kompetencat dhe funksionimi i Njësive të Vetëqeverisjes Vendore në Shqipëri.
LIGJI Nr. 68/2017 “Për Financat e Vetëqeverisjes Vendore” (ndryshuar me ligjin nr. 40/2023, datë 8.6.2023) Neni 4, pika.4 ku përcaktohen rregullat dhe kompetencat që kanë njësitë e vetëqeverisjes vendore (bashkitë) për menaxhimin e financave të tyre (në të cilat përfshihet dhe dhënia e fondeve për projekte publike në bashkëpunim me OSHC-të).
LIGJI Nr. 119/2014 PËR TË DREJTËN E INFORMIMIT (I ndryshuar me ligjin nr.78, datë 21.09.2023 “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 119/2014 “Për të drejtën e informimit”), ka për qëllim garantimin e së drejtës së publikut për t’u njohur me informacionin që prodhohet ose administrohet nga autoritetet publike. Ligji synon të sigurojë ushtrimin efektiv të lirive themelore të individit, si dhe të nxisë transparencën, integritetin dhe përgjegjshmërinë e institucioneve publike.
Mbështetja e aktorëve të ndryshëm të shoqërisë civile është një element i rëndësishëm për vetëqeverisjen vendore, duke nisur nga fakti, që vetëqeverisja vendore organizohet dhe funksionon
bazuar në parimin e subsidiaritetit, që nënkupton një vendimmarrje sa më pranë qytetarëve dhe për qytetarët.
Vendimi i Këshillit të Ministrave Nr. 252, datë 20.4.2023 “Për miratimin e strategjisë ndërsektoriale për decentralizimin dhe qeverisjen vendore 2023–2030, të planit të saj të veprimit 2023- 2025 e të pasaportës së indikatorëve” përcakton ndër objektivat e saj, objektivin nr.5, ku fokusi i drejtohet shoqërisë civile – rritja e bashkëpunimit dhe rolit të shoqërisë civile në vendimmarrjen vendore.
LIGJI Nr. 69, datë 21.06.2012 “PËR SISTEMIN ARSIMOR PARAUNIVERSITAR NË REPUBLIKËN E SHQIPËRISË” Neni 127 – ky është ligji themelor që rregullon të gjithë sistemin parauniversitar arsimor në vend (shkolla 9-vjeçare, gjimnazet). Ai përcakton të drejtat dhe detyrimet e nxënësve, prindërve, mësuesve dhe institucioneve, si dhe sigurinë e mjediseve arsimore si pjesë e funksionimit normal të proçesit mësimor. Në këtë ligj përfshihen dispozita mbi mbrojtjen nga diskriminimi, dhuna dhe keqtrajtimi brenda sistemit arsimor.
OBJEKTIVAT E THIRRJES
Objektivi i përgjithshëm:
Të rritet siguria dhe mirëqenia e nxënësve në shkolla, duke krijuar një ambient të sigurt dhe të mbrojtur ku ata mund të mësojnë, të zhvillohen dhe të jenë pjesëmarrës aktivë në komunitet, përmes trajnimeve për nxënësit dhe stafin, si dhe përmes ndërgjegjësimit mbi rëndësinë e sigurisë në shkollë.
Objektivat specifikë:
1. Të forcohet ndërgjegjësimi mbi sigurinë dhe mirëqenien e nxënësve në shkolla, përmes zhvillimit të kulturës së sigurisë në mjedisin shkollor.
2. Të promovohet krijimi i një ambienti shkollor më të sigurt, ku nxënësit mund të zhvillohen lirshëm dhe të ndihen të mbrojtur.
3. Të nxiset bashkëpunimi dhe pjesëmarrja aktive e nxënësve, stafit shkollor dhe komunitetit në ruajtjen dhe përmirësimin e sigurisë.
Totali i grantit në dispozicion për këtë Thirrje është: 3.000.000 Lekë.
* Nga kjo thirrje do të financohet vetëm një projekt fitues.
PËRSHTATSHMËRIA/PRANUESHMËRIA:
Pjesëmarrja në këtë thirrje publike është e hapur, në baza të barabarta, për të gjitha OSHC-të e regjistruara zyrtarisht (shoqata/organizata apo fondacion) në përputhje me ligjet dhe rregulloret në fuqi në Shqipëri. Të gjitha organizatat e shoqërisë civile të interesuara mund të gjejnë informacion të hollësishëm rreth kushteve për aplikim si dhe për kriteret për financimin e projekteve në Udhëzimin për Aplikantë, pjesë përbërëse e dokumentacionit të thirrjes publike.
DOKUMENTACIONI:
Dokumentacioni për Thirrjen Publike të Bashkisë Kamëz mund të tërhiqet prej datës 9 Shkurt 2026, duke dërguar një kërkesë me emrin e organizatës së interesuar në adresën e-mail: koordinim.zhvillimi@kamza.gov.al, ose duke e marrë fizikisht në adresën:
Drejtoria e Integrimit në BE, Projekteve të Huja dhe Zhvillimit Ekonomik
Ambientet e reja të Bashkisë, Valias
Rruga “Mati”, Valias
Pyetje rreth kësaj thirrje mund të bëhen përmes adresës koordinim.zhvillimi@kamza.gov.al, duke iu referuar thirrjes publike. Pyetjet mund të dërgohen deri më 19 Shkurt 2026, ndërsa përgjigjet do të jepen me shkrim brenda 5 ditëve pune që nga data e pranimit të pyetjeve përkatëse.
DORËZIMI I APLIKIMEVE:
Aplikimet e plota, me gjithë dokumentacionin përkatës, duhet të dorëzohen në tre (3) kopje fizike dhe në një kopje elektronike (në USB), duke i dërguar përmes postës zyrtare ose fizikisht. Aplikimet duhet të jenë të vendosura në një zarf të vulosur, i cili referohet qartë thirrjes publike. Dorëzimi bëhet gjatë ditëve të punës (nga e hëna në të premte), nga ora 09:00 deri në 15:00, në adresën:
Bashkia Kamëz
Bulevardi “Nënë Tereza”, Kamëz
Afati për dorëzimin e aplikimeve është data 26 Shkurt 2026. Në pjesën e jashtme të zarfit duhet të shkruhen qartë: emri i thirrjes publike për projekt-propozime, emri i plotë dhe adresa e aplikantit, emri i plotë i projektit, si dhe fjalët: “Të mos hapet përpara hapjes zyrtare”. Aplikimet e dërguara në mënyra tjera (p.sh. me faks apo e-mail) ose që janë dërguar në adresa tjera nuk do të merren parasysh.
Formulari për regjistrimin e dokumentacionit të pranuar lëshohet nga përfaqësuesi i bashkisë.
Të gjithë aplikantët do të njoftohen me shkrim për vendimin lidhur me projekt-propozimin e tyre.
Shtojca 4 – Plani i Aktiviteteve
Shtojca 5 – Formulari i identifikimit administrativ
Shtojca 6 – Formulari i identifikimit financiar
Shtojca 7 – Deklarata per plotesimin e kritereve
Shtojca 8 – Lista e kontrollit
Shtojca 9 – Deklarata e partneritetit
Shtojca 10 – Deklarata per shmangien e konfliktit te interesit