Vijon puna për rregullimin e shtëpive të prekura nga tërmeti, Suli: Faleminderit qeverisë, po ndjekim ecurinë e punimeve

Kamza është shëndërruar në një kantier ndërtimi. Kudo punohet, jo vetëm në infrastrukturën rrugore, kanalizimet e ujërave të zeza dhe ujrërave të bardha, por, po përmirësohet rrënjësisht edhe infrastruktura arsimore.

Po rikonstruktohen çerdhe, kopshte dhe shkolla si dhe po rindërtohen dhe ndërtohen ambiente të reja si dhe intensivisht po ecet për rindërtimin dhe riparimin e shtëpive të dëmtuara nga tërmeti i 21 shtatorit dhe 26 nëntorit.

Kryetari i Bashkisë Kamëz Rakip Suli thotë se: – “Vijon puna nga familjarët për rregullimin e shtëpive të prekura nga tërmeti, falë mbështetjes së qeverisë dhe kryeministrit z.Edi Rama! Mirënjohja e çdo qytetari është përgjigjia më e mirë! Faleminderit qeverisë dhe kryeministrit z.Edi Rama për mbështetjen e dhënë! Falë granteve të siguruara nga qeveria, po rikonstruktohen të gjitha shtëpitë e prekura nga tërmeti! Bashkia Kamëz po ndjek punimet e kryera hap pas hapi!”.

“Ti nuk do jesh kurrë vetëm. RINDËRTOJMË BASHKË”. Ky ishte premtimi i kryeministri Edi Rama për familjet që iu dëmtuan shtëpitë nga tërmeti i cili tashmë konsiderohet i mbajtur edhe në Kamëz.

Qeveria ka akorduar grantet e meremetimit të banesave të dëmtuara nga tërmeti i 26 nëntorit në Bashkinë Kamëz për 771 familje të cilat përfituan drejtpërsëdrejti pagesat për riparimin e dëmeve të shtëpive të tyre.

Qeveria i ka paguar një për një të gjithë banorët në nevojë për riparime të dëmeve të tërmetit. Ndërkohë që punohet me intensitet për ndërtimin e shtëpive të banorëve që iu dëmtuan nga tërmeti i 21 shtatorit dhe paralelisht ecet dhe për tu ofruar ndihmën konkrete banorëve të dëmtuar nga tërmeti i 26 nëntorit.

Në Bashkinë Kamëz qytetarët e prekur nga tërmeti i 26 nëntorit bënë aplikimin “online” ku iu drejtuan sporteleve të posaçme të ngritura në bashki për t’u regjistruar dhe për të përfituar nga programi i Rindërtimit.

Me hapjen e 3 zyrave të Rindërtimit, në Kamëz, Bathore dhe në Paskuqan, qytetarët mundën të aplikojnë në çdo kohë dhe moment, për dëmet e shkaktuara nga tërmeti i 26 Nëntorit, e gjitha në një procedurë të vetme.

Për të lehtësuar regjistrimin e qytetarëve në platformën online, Bashkia e Kamzës ngriti atëherë menjëherë grupet e punës, të cilët i telefonuan qytetarët duke i caktuar paraprakisht orarin e paraqitjes në sportel për të kryer regjistrimin.

Brenda pak minutash, me asistencën e punonjësve të bashkisë të cilët u trajnuan, qytetari kreu regjistrimin në platformën online dhe mori në dorë formularin me barkodin përkatës, përmes të cilit ndjek në kohë reale ecurinë e procesit të banesës së tij.