Dispozitat e brendshme rregullatore për këshillim me publikun
Organet publike janë të detyruara të marrin të gjitha masat e nevojshme, në mënyrë që të krijojnë mundësi për pjesëmarrjen e publikut dhe të të gjitha palëve të interesuara në procesin e njoftimit e të konsultimit publik, përfshirë: a) publikimin në regjistrin elektronik të projektaktit, të njoftimit për konsultim dhe të dhënave të lidhura me konsultimin e projektakteve; b) publikimin në programin e transparencës, sipas ligjit nr. 119/2014 “Për të drejtën e informimit”, të planeve vjetore të organeve publike që lidhen me procesin e vendimmarrjes, në kuptim të këtij ligji; c) dhënien e informacionit në lidhje me procesin e njoftimit dhe të konsultimit publik në të gjitha fazat, duke filluar nga publikimi i projektaktit, marrja e komenteve dhe rekomandimeve për përmirësimin e tij, organizimi i debateve publike e deri te miratimi i aktit përfundimtar.
Organi publik, pas publikimit të njoftimit në regjistrin elektronik, mund të organizojë konsultime të drejtpërdrejta dhe takime publike me palët e interesuara. Konsultimet e drejtpërdrejta dhe takimet publike me palët e interesuara dokumentohen me procesverbal. Procesverbali i takimeve publike, të organizuara sipas këtij ligji, është dokument zyrtar. Për konsultime veçanërisht të rëndësishme, si dhe kurdo që është e mundur, me vendim të organit publik, takimet publike transmetohen në median audiovizive publike për të mundësuar ndjekjen e tyre nga publiku i gjerë.
Pavarësisht nga përcaktimet e pikave 1 dhe 2, të këtij neni, organet publike nuk përjashtohen nga detyrimi për publikimin dhe konsultimin e projektakteve, sipas ligjeve të veçanta për funksionimin e tyre
Akte për të cilët është e detyrueshme zhvillimi i konsultimit publik.
Të detyrueshme për konsultim janë:
Buxheti, pra konsultimi publik para miratimit të buxhetit për tu njohur me nevojat dhe kërkesat e komuniteteve, ndryshimet afatmesme në buxhet.
Taksat dhe tarifat vendore, parashikimi dhe çdo nismë që prek taksat dhe tarifat vendore.
Tjetërsimi ose dhënia në përdorim të pronave të tretëve.
Rregullorja e brendshme e funksionimit të Këshillit Bashkiak.
Normat, standardet dhe kriteret për rregullimin dhe disiplinimin e funksioneve të këshillit të bashkisë që i janë dhënë atij me ligj, si dhe për mbrojtjen e garantimin e interesit publik.
Njoftimi për nismën vendimarrëse me pjesëmarrje
Brenda 20 ditëve pune nga data e njoftimit për procesin e njoftimit e të konsultimit publik, mund të dorëzoni komente dhe rekomandime me postë në adresën adresën: Bulevardi “Nënë Tereza” Kamëz, ose me postë elektronike në adresën: info@kamza.gov.al.
Proçedura e ankimimit mbi proçesin e këshillimit me qytetarët
Referuar Ligjit Nr.146/2014 “Për njoftimin dhe konsultimin publik’, neni 21 “Procedurat për shqyrtimin e ankesave”,
Nëse palët e interesuara vlerësojnë se organi publik ka cenuar të drejtën e tyre për njoftim dhe konsultim publik, sipas parashikimeve të pikës 1, të nenit 6, të këtij ligji, si dhe kur nuk janë respektuar afatet e parashikuara në nenet 15 dhe 17 të këtij ligji, mund të ankohen:
a) pranë titullarit të organit publik përgjegjës për procesin e njoftimit dhe konsultimit publik, kur projektakti nuk është miratuar ende;
b) pranë Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale, brenda 30 ditëve nga data e miratimit të aktit.
Organi publik përgjegjës, me marrjen e ankesës, merr masa të menjëhershme për korrigjimin dhe reflektimin e vërejtjeve të paraqitura në ankesën e palës së interesuar. Në çdo rast, autoriteti publik njofton palën e interesuar për masat e marra dhe e fton të japë komentet dhe rekomandimet për projektaktin.
Komisioneri për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale, me marrjen e një ankese, i kërkon ankuesit dhe organit publik, kundër të cilit është bërë ankesa, të paraqesin parashtrime me shkrim brenda 10 ditëve. Kur e sheh të përshtatshme, Komisioneri organizon një seancë dëgjimore publike me pjesëmarrjen e palëve.
Në përfundim të shqyrtimit, Komisioneri, kur arrin në përfundimin që ka shkelje të dispozitave të këtij ligji, i propozon organit publik përgjegjës marrjen e masave administrative ndaj personit/personave përgjegjës, sipas legjislacionit për shërbimin civil në fuqi.
Çdo komunitet, nëpërmjet përfaqësuesve të autorizuar të tij, ose jo më pak se një për qind e banorëve të bashkisë ka të drejtë të paraqesin për vendimmarrje në këshillin bashkiak iniciativa qytetare për çështje që janë brenda juridiksionit të njësisë së vetëqeverisjes vendore. Mënyra dhe forma e paraqitjes së këtyre iniciativave, procedura e shqyrtimit dhe miratimit të tyre përcaktohet në rregulloren e organizimit dhe funksionimit të këshillit bashkiak.
Propozimet e ardhura në këshill si iniciativë qytetare, kur kanë ndikim financiar në buxhetin e njësisë së vetëqeverisjes vendore, shqyrtohen në këshill, sipas rendit të ditës, dhe nuk mund të miratohen pa marrë më parë mendimin e kryetarit të njësisë së vetëqeverisjes vendore.