Na kontaktoni

Open data

Open Data është një nderfaqe falas dhe e hapur për ndarjen e të dhënave, ku çdokush mund të ketë akses në të dhënat në lidhje me qytetin e Kamzës. Pavarësisht nëse jeni qytetar, pronar biznesi, studiues apo zhvillues, faqja ofron informacion për t’ju ndihmuar të kuptoni qytetin dhe të zhvilloni zgjidhje për problemet e Bashkisë Kamëz. Ky portal synon të rrisë transparencën dhe u ofron qytetarëve të dhëna të ndryshme për punët, investimet dhe çdo shërbim që kryhet në qytet pa asnjë kosto. Këto të dhëna mund të shkarkohen në pajisje elektronike dhe mund të përdoren më pas për qëllime informative, studimore, akademike, gazetari etj.  Të dhënat janë lehtësisht të aksesueshme dhe përditësohen në mënyrë të vazhdueshme për t’i siguruar qytetarëve transparencë maksimale.
Informacioni nuk konsiderohet më si një e drejtë e institucionit që e krijon atë, por si një mjet për të qenë i aksesueshëm dhe i dobishëm për qytetarët. Nga ana tjetër, portali ndihmon bashkinë për të përcaktuar se cilat janë prioritet në punët e qytetit dhe politikëbërësit gjatë procesit të vendimmarrjes.

Historiku i Qytetit

Emblema e Qytetit

Levizjet Demografike

Transparenca e Buxhetit

Trasparenca dhe llogaridhënia Ekonomiko – Financiare

Programi i Trasparencës

Administrata e Bashkisë Kamëz

Urbanistika

                                              

Kamza tashmë është një qytet në zhvillim intensiv. 20 vitet e fundit e kanë dëshmuar këtë, sidomos që nga viti 2007 e deri më sot Kamza ka shënuar një progres të jashtëzakonshëm. Ky progres vihet re në të gjitha fushat, në numrin e popullsisë, në infrastrukturë, në institucione shtetërore, arsimore, shëndetësore, kulturore, sportive etj. Po ashtu, lulëzimi i sipërmarrjes së lirë, me trefishimin e numrit të bizneseve, është një tregues i vitalitetit të këtij qyteti, i cili zhvillohet nga dita në ditë.

                                               

Megjithatë, më herët, Kamza nuk ka pasur pamjen që ka sot, por ka qenë një fushë, e cila në pjesën më të madhe të kohës ishte e përmbytur nga ujërat dhe, si rrjedhojë, ka qenë një zonë jo shumë e populluar. Para 22 shekujsh, tokat e Kamzës kishin kryeqendër Prezën. Rreth viteve 1250 të erës sonë, ngulimet në zonën e Kamzës ishin rreth brigjeve të lumenjve të Tiranës e Tërkuzës, periudhë kjo në të cilën zotër të këtyre tokave ishin Tanush e Karl Topia. Kjo trevë, në kohën e vërshimeve turke, u bashkua me Principatën e Kastriotëve. Në të katër rrethimet e Krujës, 1450-1478, Kamza u dogj dhe shumë bujq u morën rob nga Sulltan Murati II dhe (i biri) Mehmeti II.

Rreth vitit 1431 del në dritë emri Kamëz. Janë dy histori që tregojnë prejardhjen e emrit Kamëz

Emri Kamëz lindi rreth vitit 1430. Dëshmitë e arritura deri në ditët tona pohojnë se në tokat e Kamzës kishte shumë ullinj të egër. Rreth trungut mbinin filiza që quheshin kamza ulliri dhe për këtë arsye tokat midis lumit të Tiranës dhe Tërkuzës u quajtën Kamza.
Në vitin 1431 del në pah emri Kamëz, e cila akoma nuk ka autorësinë e saj, por sipas gojëdhënave, kur një grua e vjetër po tirrte lesh, kalimtarë të rastit e pyesin: “Çfarë po bën moj nënë?” Gruaja u përgjigjet: “Po thur në kamëz”. Kështu mendohet se i ngeli ai emër, që edhe sot nuk ka ndryshuar, por ka marrë përmasa të tjera.
Në vitin 1700 filluan të shtoheshin shtëpitë me fshatarë që zbrisnin nga malësitë.

Në këtë kohë Kamzën filluan ta shihnin me sy lakmitarë për ta bërë pronë të tyre. Pretendentët ishin fiset e mëdha të Bushatllinjve të Shkodrës dhe të Ahmet Kurt Pashës së Beratit.

Për një periudhë 70-vjeçare ata zhvilluan luftëra mes tyre, por në fund asnjë nuk fitoi. Në këtë periudhë Kamza u rrënua shumë

 

Shpjegime mbi formën dhe përmbajtjen e stemës së Bashkisë Kamëz

Stema e Bashkisë Kamëz është ideuar dhe konceptuar duke u bazuar në modelet e përgjithshme që kanë bashkitë në të gjithë territorin e Republikës, me synimin e dallimit prej tyre në disa element që lidhen me gjeografine dhe historinë e kësaj bashkie.

Që në fillim është synuar që Stema të jetë unike për Bashkinë Kamëz, të jetë e qartë, e dallueshme, me përmbajtje historike, ngjyra të pranueshme dhe simbole me domethënie për banorët e kësaj bashkie. Stema ka të brendashkruar disa forma simbolike si, shqiponjën dykrenare, përkrenaren e Skënderbeut, shiritin kuq e zi me 12 yje si dhe një diell të bardhë më numrin 1991. Sipër saj është forma e lakuar e bedenave të një kështjelle, që kryesisht përdoret edhe nga stemat e bashkive të tjera, brenda të cilës janë dy degë ulliri.

Forma e Stemës

Forma e Stemës është një drejtkëndësh me kurorë të dhëmbëzuar i cili qëndron me kokë poshtë, duke vijuar me një lakim gjysëm rrethorë të kornizës anësore drejt një pike bashkimi në mes të tij.  Stema është e rrethuar së jashtmi me një kornizë ngjyrë ari, e cila ngrihet lart për të përshkuar vijat që formojnë kurorën në formë bedenash.

Përmbajtja e Stemës

Ngjyra e artë e stemës vjen në dy lloje. Njëra ngjyrë ari e lehtë, gati diellore, është brenda tërësisë së stemës. Kurse Korniza e artë që e rrethon stemën në formën e një shiriti, simbolizon begatinë që kanë ofruar ndër shekuj tokat dhe kodrat pjellore të zonës së Kamzës si dhe mirëqenien e banorëve të saj, përfshi edhe banorët e rinj që erdhën aty pas viteve 1990. Kalimi nga kasollet me dërrasa dhe tendat plastike tek shtëpitë e reja, dyqanet, magazinat, punishtet, vilat dhe pallatet bashkëkohore si dhe gjithë ndryshimet e pësuara në rrugë, infrastrukturë, ujësjellsa, kanalizime etj, tregojnë zhvillimin e kësaj zone, vlera e së cilës sa vjen e rritet.

Shiriti kuq e zi me 12 yjet në mes

Shiriti Kuq e Zi mbahet zakonisht nga Krytari i Bashkisë në ceremonitë zyrtare. Ai simbolizon flamurin kuq e zi. Edhe në Stemën e Bashkisë Kamëz shiriti është vendosur në atë formë që vihet nga Kryebashkiaku, duke simbolizuar trupin e tij të përshkuar nga shiriti kuq e zi. Në shiritin kuq e zi të vendosur në Stemën e Bashkisë Kamëz, kemi shtuar edhe 12 yje të arta. Këto 12 yje simbolizojnë 12 muajt e vitit dhe domethënia e saj është se shërbimi ndaj qytetarëve duhet të jetë gjatë gjithë vitit dhe nuk duhet të jetë me faza apo vetëm në kohë fushatash zgjedhore. Ylli me 6 cepa është marrë nga stema e familjes së Kastriotëve, e cila kishte në zotërim këto toka pesë shekuj më parë. Ngjyra e artë e yjeve është vendosur e tillë për të treguar se çdo muaj ka vlerën e tij, bazuar në thënien popullore se, “koha është flori”.

Shqiponja me dy krerë

Shqiponja me dy koka është vendosur në pjesën sipër shiritit kuq e zi. Kjo shqiponjë është marrë nga stema e familjes së Kastriotëve, të cilët kanë patur nën zotërim Kamzën dhe rrethinat e saj. Para se të bashkohej me Principatën e Kastriotëve, Kamza ishte zotërim i Topiajve. Kamza ka qenë shpesh herë fushë beteje mes ushtrive të perandorisë osmane dhe shqiptarëve vendas. Deri vonë, krerët zotërues të këtyre tokave kanë luftuar mes tyre, duke synuar zotërimin e tokave pjellore të Kamzës dhe kodrave të saj me ullishta. Shqiponja e vendosur në këtë stemë shërben si simbol uniteti për të gjithë të ardhurit nga krahina të ndryshme të vendit, ku secila ka veçoritë e saj.

Përkrenarja e Skënderbeut

Përkrenarja (helmeta) e Skënderbeut është vendosur në pjesën e poshtme të shiritit kuq e zi, duke vendosur kështu një ekuilibër mes dy simboleve më të njohura të shqiptarëve dhe kryesisht të atyre që vijnë nga zona, që dikur kanë qenë nën zotërimin e familjes së Gjon dhe Gjergj Kastriotit. Zotërimet e Kastriotëve zinin fill në Radikë (Dibra e Madhe – sot Maqedonia e Veriut) dhe vijonin deri poshtë Krujës. Në kohë të ndryshme këto zotërime kanë ndryshuar përmasat dhe shtrirjen e tyre, por Kamza konsiderohet pjesë e pronave të Skënderbeut. Këto simbole e afrojnë Kamzën gjeografikisht dhe historikisht me Krujën dhe historinë e lavdishme të Skënderbeut.

 

Dielli në fundin e Stemës

Në fund të stemës është vendosur një diell i bardhë me rreze, brenda të cilit shkruhet numri 1991. Ky diell, nuk është i plotë grafikisht, me qëllim që të krijojë idenë se është duke u ngjitur lart në horizont. Pra, është diellë që po lind. Dihet se dielli është simbol i lashtë i shqiptarëve, të cilët që në kohët ilire e gdhendnin në gurët e shtëpisë në portat hyrëse ose mbi gurët e oxhakut. Ky simbol i lashtë i kullave të malësisë, të cilat u braktisën nga mijëra banorë në vitet 1990, vjen në këtë stemë me dy kuptime. Kuptimi i parë është simbolizimi i shpresës për një jetë të re më të mirë. Kjo i jep kuptim numri 1991, që në fakt është viti i themelimit të Kamzës si njësi vetëqeverisëse lokale. Pra, viti 1991 i vendosur brenda diellit që ngrihet simbolizon hedhjen e themeleve të një bashkie dhe qyteti të ri në rritje siç është Kamza. Pra, kjo formë e thjeshtë grafike – dielli me një shifër brenda, simbolizon historinë (viti 1991) dhe ardhmërinë e ndritshme – dielli në ngritje. Po ashtu, dielli, për të gjithë ata që kanë nostalgji për historinë e kullave të tyre, për portikët me simbole ilire, e kanë aty në stemën e bashkisë.

Bedenat në Stemë

Bedenat në stemën e Bashkisë së Kamëz, nuk janë vendosur thjeshtë për të imituar stemat e disa bashkive të tjera. Ato simbolizojnë kurorën e maleve me të cilat kufizohet bashkia Kamës. Vargmali i Dajtit dhe vargmali i Krujës, janë dy mrekulli natyrore, që i kanë qëndruar dhe i qëndrojnë Kamzës si mburojë dhe si vend ku mbështetet e gjitha bashkë me kodrat e bukura. Po ashtu, këto bedena, simbolizojnë qëndresën e banorëve të hershëm të kësaj krahine përballë agresorëve të huaj. Bedenat janë simbol edhe për shumicën e banorëve të tjerë të Kamzës, të cilët vijnë nga zona dhe krahina me histori të lavdishme dhe me kështjella e kala të vjetra.

Dy degët e ullirit në Stemë

Në stemën e Bashkisë Kamës, jo rastësisht janë vendosur dy degë ulliri me gjyrë ari. Kamza, përveç fushës pjellore, gjithmonë ka patur ullishtet e saj të egra dhe të kultivuara. Nga burime historike thuhet se Kamza kishte shume pemë ulliri të cilat shtoheshin nga banorët ose vetvetiu. Fjala Kamzë lidhet drejtpërdrejt me ullirin, sepse, thuhet që në disa kohë, trungjet e ullinjve rrethoheshin me filiza ullinjsh të ri që mbinin nga rrënjët afër trungut dhe këto, bujqit e kohës i quanin “Kamza”. Këto “kamza” ishin të shumta dhe hiqeshin gjatë proceseve të kultivimit të ullirit nga bujqit.

Ngjyra blu e bedenave

Bedenat janë formuar nga ravijëzimi i një vije të hollë me ngjyrë ari, brenda të cilës marrin formë bendenat ngjyrë blu. Ngjyra blu e bedenave, përveç afrisë estetike të të gjithë Stemës, simbolizon lirinë dhe demokracinë e arritur pas vitit 1990.

Zhvillimi administrativ, demografik i Kamzës

Kamza ka qenë me status rural administrativ, komunë, deri në vitin 1996. Në atë vit, për shkak të zhvillimeve demografike, social-ekonomike dhe urbane, u shndërrua në njësi administrativë vendore me status bashki e shkallës së parë. Kamza si njësi administrative vendore e shkallës së parë, është e ndarë administrativisht në: Qendrën Urbane (qyteti), Njësinë Administrative Bathore dhe nga 5 ndarjet administrative rurale: Valias, Laknas, Frutikulturë, Zall-Mner dhe Bulçesh. Ndryshimet demokratike pas vitit ‘90 lejuan një migrim masiv të qytetarëve nga i gjithë vendi drejt qyteteve kryesore. Kjo dukuri preku edhe Kamzën, ku shumë banorë nga veriu dhe verilindja e Shqipërisë u zhvendosën drejt kësaj zone.

 

  • 1991-1992, numri i popullsisë u rrit nga 12 500 në 20 000 banorë
  • 1992-1996, numri i popullsisë u rrit në 45 000 banorë
  • Nga viti 1997-2002, numri i popullsisë arriti në 53 027 banorë
  • Nga viti 2002-2023, numri i popullsisë arriti në 96 137banorë

 

 

Mosha mesatare e popullsisë është 27 vjeç, më tepër se një e treta është nën moshën 15 vjeç dhe 62% e pjesës tjetër i përket grupmoshës 14-60 vjeç. Mosha e tretë zë 8%. Numri i familjeve në Kamëz arrin afërisht 20 000. Raporti lindje-vdekje është 5:1.
Janë të pranishme të gjitha besimet fetare kryesore: mysliman, katolik, ortodoks dhe institucionet e kultit, kisha dhe xhamia. Sot, Kamza, për shkak të rritjes demografike është bërë një nga gjashtë bashkitë më të mëdha të vendit, që vazhdon të pësojë ndryshime të gjithanshme dhe me ritme tepër të larta.

Ky instrument on-line informon publikun për të ardhurat vjetore të Bashkisë, shpenzimet dhe investimet, si dhe llogaritjen e takasave dhe tarifave vjetore të qytetarëve dhe bizneseve.

Zbatimi i Programit Buxhetor Afatmesëm është një instrument i rëndësishëm për përmirësimin e cilësisë së jetës, përmirësimin e aksesit, integrimin territorial dhe barazinë në shërbime, zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik, rritjen e cilësisë së jetesës, dhe mbrojtjen e mjedisit.

Transparenca dhe llogaridhënia janë të lidhura me njëra-tjetrën, ku transparenca e autoriteteve të qeverisjes vendore përfaqëson një hap të parë drejt llogaridhënies së të zgjedhurve vendorë dhe ndërtimit të besimit me komunitetin.

Informacion mbi strukturat, organizimin e administratës së Bashkisë Kamëz.

Raporti i Vlerësimit të Ndikimit në Mjedis

Rishikimi i Planit të Përgjithshëm Vendor

Vendimi

Njoftim Për VSM

NJOFTIM

Aplikim per azhornim Genplani

Aplikimi per leje ndertimi per ndertime te reja apo shtesa me siperfaqe te pergjithshme deri ne 250m2 prane Njesive te Qeverisjes Vendore