Premtimet mbahen/1 qershori i gjen fëmijët në Kamëz me një tjetër kopsht me kushte bashkëkohore

1 qershori, Dita Ndërkombëtare e Fëmijëve, e gjeti Kamzën me një tjetër kopsht të rikonstruktuar të standarteve bashkëkohore. Pra, një më shumë se në ditët paraardhëse sepse nga Bashkia po punohet çdo ditë në këtë drejtim dhe të tjera investime pritet të bëhen fakt i kryer.

Prioritet absolut i Bashkisë Kamëz dhe kryebashkiakut Rakip Suli është përmirësimi i kushteve në ambientet ku qëndrojnë dhe mësojnë fëmijët, përmes rikonstruksionit, por dhe ndërtimit të godinave të reja (çerdhe, kopshte shkolla), aq të munguara prej vitesh në këtë zonë.

“Gëzuar 1 qershorin të dashur fëmijë! Dhurata jonë për këtë vit është inaugurimi i kopshtit “Nënë Tereza”, për t’ju ofruar një ambient me kushte bashkëkohore. Kënaqësi të isha mes gëzimit dhe harresë suaj, për t’u motivuar edhe më shumë, në vizionin e munguar përgjatë gjithë këtyre viteve, për ndërtimin e kopshteve dhe çerdheve me infrastrukturë moderne” – thotë në urimin e tij kryetari i Bashkisë Kamëz Rakip Suli për fëmijët.

Në këtë urim të kryebashkaiku spikat fakti që ai përmend vizionin e munguar për ndërtimin e çerdheve, kopshteve, por dhe shkollave të reja ndaj dhe një nga premtimet e tij, zotimit para qytetarëve të Kamzës është që ta bëjë realitet.

Zoti Suli ka premtuar dhe garantuar se shumë shpejt fillon puna për ndërtimin e kopshtit “Niko Hoxha”, Valias i Vjetër! Kopshti është i projektuar me të gjitha parametrat bashkëkohore, me një kapacitet për 200 fëmijë duke iu ofruar të gjitha kushtet e nevojshme dhe duke siguruar fjetjen dhe ushqimin e tyre.

Gjithashtu pas 30 vitesh një kopësht tërësisht modern, i projektuar me të gjitha parametrat bashkëkohore duke siguruar fjetje dhe ushqim për fëmijët do të jetë “Lidhja e Prizrenit” që do të presë vogëlushët e Paskuqanit!.

“Prioriteti kryesor yni do të jetë ndërtimi i çerdheve, kopshteve e shkollave, të cilat deri më sot ishin lënë totalisht në harresë!”. Deklarimi dhe premtimi i bërë nga kryebashkiaku Suli pas miratimit të buxhetit 2020, ka nisur zbatimin dhe këtë vit investimet në infrastrukrurën arsimore për fëmijët dhe të rinjtë në Kamëz do të njohin ndryshim rrënjësor.

Për vitin 2020 janë planifikuar të rikonstruktohen dhe ndërtohen të tjera objekte arsimore. Bashkia ka pasur në vëmendje maksimale fëmijët, për t’u krijuar atyre kushtet e duhura si në shkolla, çerdhe dhe kopshte, përmes investimeve të kryera deri në lagjet e tyre, për ndërtimin e ambienteve relaksuese.