Covid-19/Bashkia Kamëz shtyn me dy muaj pagesën e taksave për biznesin, heq për 3 muaj taksën e hapësirës publike

Me propozim të Kryetarit të Bashkisë Rakip Suli, Këshilli Bashkiak Kamëz ka miratuar unanimisht, duke kthyer në vendime dy nisma mjaft të rëndësishme lehtësuese në ndihmë të biznesit. Përmes miratimit të këtyre vendimeve, Bashkia Kamëz është ndër të parat institucione të pushtetit vendor në vend që ju vjen në ndihmë direkt bizneseve.

Propozimi i parë i kryebashkiakut Rakip Suli i miratuar në Këshillin Bashkiak është shtyrja me 2 muaj e pagesave të detyrimeve bashkiake (taksa dhe tarifa vendore).
Kjo do të iu mundësojë bizneseve që ushtrojnë aktivitet në territorin e Kamzës që të ndihen më të çliruara, të kenë kohë deri me 20 qershor 2020 për të derdhur në arkën e bashkisë detyrimet vendore, ku Bashkia Kamëz garanton se çdo qindarkë e tyre do të kthehet në investim për ta dhe komunitetin.

Një tjetër lehtësim, si propozim i kryebashkiakut Suli që ka bërë Bashkia Kamëz për bizneset është edhe heqja e pagesës së hapësirës publike për subjektet tregtare për 3 muaj, (mars, prill, maj). Kujtojmë që këto masa lehtësuese ndaj biznesit, të cilin kryebashkiaku Rakip Suli dhe Bashkia Kamëz e kanë parë dhe e shohin si partner të rëndësishëm në zhvillimin ekomonisë në Kamëz, vjen në kuadër të luftës kundër ndaj COVID-19, në zbatim të urdhërit të Ministrit të Shëndetësisë të gjitha aktivitetet tregtare duhet të jenë të mbyllura.

Me këto vendime të Këshillit Bashkiak, Bashkia Kamëz në kuadër të situatës së krijuar shpreson t’i vijë në ndihmë subjekteve tregtare në territorin e saj. Bashkia Kamëz e sheh biznesin si një aktor të rëndësishëm për zhvillimin e qytetit, i cili ndihmon për një ekonomi më të mirë për mijëra familje të cilat përballen më vështirësi në këto momente si pasojë e pandemisë së Covid 19.

Kryetari i Bashkisë Kamëz Rakip Suli garanton se Bashkia do të jetë gjithnjë në krah të biznesit duke qenë se ai është si promotor i zhvillimit të qytetit.