ADISA hap zyrë në Kamëz, qendra ku qytetarëve iu ofrohen mbi 300 shërbime, Suli: Ne sjellim çdo shërbim pranë Jush

Qytetari ka qenë dhe mbetet fokusi i Bashkisë Kamëz duke pasur prioritet shërbimin sa më cilësor ndaj tij. Pas hapjes së Zyrës së Punës ku qytetarëve të Kamzës iu duhej të shkonin deri në Tiranë, falë bashkëpunimi të Bashkisë me institucionet tashmë në Kamëz ka hapur zyrat dhe ADISA (Qendrat e Integruara me një Ndalesë ADISA). Lajmin e jep vetë kryetari i Bashkisë Kamëz Rakip Suli i cili në rrjetin social FB shkruan:

“Tashmë ADISA vjen edhe në Kamëz, për të ofruar mbi 300 shërbime publike qendrore të funksioneve të ndryshme! Të gjitha shërbimet e kërkuara të bashkisë, shërbimet elektronike, e çdo dokumentacion, tashmë në vetëm një qendër, ADISA Kamëz! Ne sjellim çdo shërbim pranë Jush”.

Kujtojmë që në kuadër të reformës për modernizimin e Shërbimeve Publike në Shqipëri është bërë e mundur nga qeveria krijimi i Qendrave të Integruara me një Ndalesë. Ky model i ri shërbimesh, synon t’u kursejë qytetarëve kohë dhe energji, si dhe t’u sigurojë atyre cilësinë e duhur të shërbimit, duke mbyllur shtigjet për korrupsion.

Standardi i ri në ofrimin e shërbimeve publike është arritur nëpërmjet thjeshtimit dhe standardizimit të procedurave administrative, digjitalizimit të shërbimeve dhe ngritjes së sistemeve të Teknologjisë̈ së Informacionit, zgjerimit të hapësirave për marrjen e informacionit të shpejtë dhe të saktë për shërbimet nga qytetarët.

Sfida dhe qëllimi kryesor i ADISA është përmirësimi dhe lehtësimi i jetës së qytetarëve në ofrimin e shërbimeve publike.

Për këtë arsye, krijimi i qendrave të Integruara ADISA ofron shërbimet e disa institucioneve, të renditura dhe të përzgjedhura në bazë të kërkesave të qytetarëve, në një vend të vetëm. Kështu, evitohen pritjet në radhët e gjata, reduktohet koha e veprimeve në sportel, me ndarjen “Front Office- Back Office” reduktohet korrupsioni, me sistemin e radhës evitohen keqkuptimet ndërmjet qytetarëve dhe me ambientet komode që ADISA ka krijuar, ofrohen të gjitha këto shërbime me standardet më bashkëkohore në Shqipëri.