THIRRJE PUBLIKE PËR PJESËMARRJE TË PËRFAQËSUESIT TË SHOQËRISË CIVILE NË KOMISIONIN E VLERËSIMIT TË APLIKIMEVE TË ORGANIZATAVE TË SHOQËRISË CIVILE (OSHC) NË KUADËR TË PROJEKTIT ReLOaD2 NË BASHKINË KAMËZ
Qëllimi kryesor i projektit ReLOaD2, i cili financohet nga Bashkimi Evropian dhe zbatohet nga UNDP, është të forcojë demokracitë gjithëpërfshirëse në Ballkanin Perëndimor dhe procesin e integrimit në BE. Projekti do të punojë për fuqizimin e shoqërisë civile dhe rinisë që të jetë pjesë aktive në vendim-marrje, duke nxitur një mjedis ligjor dhe financiar në funksion të shoqërisë civile.
Projekti ReLOaD2 ka partneritet me trembëdhjetë bashki në Shqipëri, konkretisht me bashkitë: Elbasan, Kamëz, Kavajë, Kukës, Lezhë, Lushnje, Patos, Përmet, Korçë, Roskovec, Sarandë, Tiranë dhe Shkodër dhe bashkëpunon për adoptimin e një qasjeje transparente, të orientuar drejt zhvillimit dhe të bazuar në projekte për financimin e Organizatave të Shoqërisë Civile (OShC-ve).
Bashkia Kamëz, në kuadër të projektit ReLOaD2 në Shqipëri, ka hapur Thirrjen e Katërt Publike për organizatat e shoqërisë civile. Nëpërmjet kësaj thirrje ftohen OShC-të të aplikojnë me projekte sipas kritereve të përcaktuara në shpalljen publike të Bashkisë Kamëz. Me qëllim vlerësimin e projekteve të propozuara nga OShC-të, ngrihet një komision vlerësimi, ku ka edhe një përfaqësues të OshC-ve.
Për sa më sipër, dhe për të siguruar një proces transparent dhe të hapur të përzgjedhjes së projekteve të OShC-ve, Bashkia Kamëz shpall Thirrjen Publike për praninë e një përfaqësuesi të OShC-ve në Komisionet e Vlerësimit të aplikimeve të OShC-ve në Bashkinë Kamëz.
Pas dorëzimit të aplikimeve nga OshC-të, procesi vlerësimit pritet të mbahet në muajin Nëntor 2024. Vlerësimi do të kryhet sipas një Udhëzuesi të përgatitur nga projekti ReLOaD2 dhe mund të zgjasë 1-2 ditë.
Përfaqësuesi i OShC-së në Komisionin e Vlerësimit do të ketë këto detyra dhe përgjegjësi:
- Përfaqësuesi i OShC-ve do të jetë anëtar i Komisionit të Vlerësimit me të drejtë vote, dhe do të kryejë vlerësim në përputhje me rregulloret e Projektit ReLOaD2;
- Përfaqësuesi i OShC-ve duhet të marrë pjesë në Komisionin e Vlerësimit nga fillimi deri në fund të procesit;
- Përfaqësuesi i OShC-ve do të nënshkruajë një deklaratë konfidencialiteti dhe paanshmërie;
- Përfaqësuesi i OShC-ve do të nënshkruajë bashkërisht me anëtarët e tjerë raportin e Komisionit të Vlerësimit dhe do të konfirmojë gjetjet e dala nga procesi, si dhe do të japë komente shtesë lidhur me punën e komisionit të vlerësimit, nëse dhe kur është e nevojshme.
Të interesuarit për të qenë pjesë e Komisionit të Vlerësimit duhet të jenë anëtarë dhe/ose punonjës me orar të plotë të OShC-ve të themeluara/regjistruara në Shqipëri dhe duhet të plotësojnë kriteret e mëposhtme:
- Përvojë dhe aftësi të mëparshme në kryerjen e një vlerësimi të paanshëm, të drejtë dhe transparent të projekt propozimeve të OShC-ve. Përvoja me skemat e dhënies së granteve të BE-së do të konsiderohet si përparësi;
- Përvojë në përgatitjen dhe/ose zbatimin e projekteve të financuara nga fondet publike, sidomos në nivel vendor;
- Njohja e bazës ligjore, dokumenteve strategjike, politikave dhe metodologjive në fushën e dhënies së fondeve publike për OShC-të dhe rininë;
- Njohja e parimeve të Ciklit të Menaxhimit të Projekteve (PCM);
- Njohja e gjuhës shqipe dhe angleze në të folur dhe të shkruar;
Kandidatët duhet të dorëzojnë dokumentet në vijim në adresën koordinim.zhvillimi@kamza.gov.al:
- CV (duke specifikuar përvojën e mëparshme në fushat e sipërpërmendura);
- Letër Motivimi (duke shprehur interesin për pjesëmarrje në Komisionin e Vlerësimit, si dhe konfirmimin e disponueshmërisë për procesin e vlerësimit, duke specifikuar edhe bashkinë/bashkitë ku preferon të përfshihet)
- Deklaratë nga përfaqësuesi ligjor i OShC-së që autorizon kandidatin për të përfaqësuar OShC-në përkatëse në Komisionin e Vlerësimit.
Përfaqësuesi i OShC-s duhet të jetë i gatshëm të punoj pro bono/pa pagesë. Përfaqësuesi i OSHC-së duhet të jetë i disponueshëm për angazhimin në Komision e Vlerësimit (një ose dy ditë) gjatë periudhës së vlerësimit të projekteve.
OShC-të nga e cila kandidati i përzgjedhur për Komisionin e Vlerësimit është anëtar dhe/ose punonjës NUK do kenë të drejtë të aplikojnë (as si aplikues kryesor as si OSHC partnere) në thirrjet publike për dorëzimin e projekt propozimeve të OSHC-ve në kuadër të projektit ReLOaD2 në bashkinë për të cilën kandidati është përzgjedhur për të qenë pjesë e Komisionit të Vlerësimit.
Afati i fundit për dorëzimin e aplikimit është data 22 Tetor 2024, ora 16:00.
Për informacion të mëtejshëm, ju lutem mos hezitoni të kontaktoni në adresën: koordinim.zhvillimi@kamza.gov.al.