Lëvizjet Demografike
Zhvillimi administrativ, demografik i Kamzës
Kamza ka qenë me status rural administrativ, komunë, deri në vitin 1996. Në atë vit, për shkak të zhvillimeve demografike, social-ekonomike dhe urbane, u shndërrua në njësi administrativë vendore me status bashki e shkallës së parë. Kamza si njësi administrative vendore e shkallës së parë, është e ndarë administrativisht në: Qendrën Urbane (qyteti), Njësinë Administrative Bathore dhe nga 5 ndarjet administrative rurale: Valias, Laknas, Frutikulturë, Zall-Mner dhe Bulçesh. Ndryshimet demokratike pas vitit ‘90 lejuan një migrim masiv të qytetarëve nga i gjithë vendi drejt qyteteve kryesore. Kjo dukuri preku edhe Kamzën, ku shumë banorë nga veriu dhe verilindja e Shqipërisë u zhvendosën drejt
kësaj zone.
1991-1992, numri i popullsisë u rrit nga 12 500 në 20 000 banorë
1992-1996, numri i popullsisë u rrit në 45 000 banorë
Nga viti 1997-2002, numri i popullsisë arriti në 53 027 banorë
Nga viti 2002-2011, numri i popullsisë arriti në 90 000 banorë
Mosha mesatare e popullsisë është 27 vjeç, më tepër se një e treta është nën moshën 15 vjeç dhe 62% e pjesës tjetër i përket grupmoshës 14-60 vjeç.
Mosha e tretë zë 8%.
Numri i familjeve në Kamëz arrin afërisht 20 000.
Raporti lindje-vdekje është 5:1.
Janë të pranishme të gjitha besimet fetare kryesore: mysliman, katolik, ortodoks dhe institucionet e kultit, kisha dhe xhamia. Sot, Kamza, për shkak të rritjes demografike është bërë një nga gjashtë bashkitë më të mëdha të vendit, që vazhdon të pësojë ndryshime të gjithanshme dhe me ritme tepër të larta.
Regjistrimi i popullsisë
Hapi vendimtar për regjistrimin e popullsisë në këto vite ka qenë informatizimi i plotë i saj. Kjo ka sjellë impakt të dukshëm pozitiv për Bashkinë Kamëz. Tashmë, të gjitha të dhënat që përmbajnë regjistrat themeltarë, janë transkriptuar në sistemin kombëtar, NCR. Certifikatat dhe aktet e ndryshme, si lindje, martesa, vdekje, korrigjime, materiale etj. printohen drejtpërdrejt nga sistemi. Puna që kryejnë nëpunësit, është transparente ndaj qytetarëve, gjë të cilën e ka mundësuar edhe mjedisi i përshtatshëm i krijuar për shërbime ndaj qytetarëve. Ngritja për herë të parë e sistemit të plotë të adresave dhe emërtimit të rrugëve ka ndikuar në legalizimin e plotë të familjeve, sepse çdo familje, që kërkon të bëjë lejen e banimit në Kamëz, i kërkohet adresa e saktë e banimit (nga Urbanistika), me emër rruge, numër banese, numrin e qendrës së votimit. Kjo ka sjellë edhe standardizimin, përgatitjen e infrastrukturës së nevojshme për hartimin në mënyrë sa më të saktë dhe brenda afateve ligjore të listave të zgjedhësve. Përcaktimi i një sistemi sa më të saktë të regjistrimit të popullsisë dhe të votuesve në qendrat e tyre të votimeve ka ulur në maksimum konfuzionin demografik të krijuar vite më parë për shkak të lëvizjes së qytetarëve nga vendet e origjinës, ankimet e kontestimet e tyre. Një regjistrim i tillë ka sjellë, gjithashtu, eliminimin e burokracive në raport me shërbimin ndaj qytetarëve, krijimin e kushteve efikase për të bërë të mundur rritjen e mëtejshme të përgjegjshmërisë së nëpunësve të Zyrës së Gjendjes Civile dhe cilësisë së shërbimit, pasi çdo veprim që kryhet, ruhet automatikisht.
Legalizimet
Regjistrimi i popullsisë u shoqërua me procesin e regjistrimit të banesave dhe objekteve informale dhe përgatitjen e dokumentacionit të plotë për legalizimet në Bashkinë Kamëz, bazuar në ligjin nr. 9895, datë 10.4.2008 “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 9482, datë 3.4.2006 “Për legalizimin, urbanizimin dhe integrimin e ndërtimeve pa leje” miratuar nga Kuvendi i Shqipërisë për të centralizuar gjithë procesin e legalizimit të ndërtimeve informale, të nisur në vitet 2005 – 2006, me procesin e vetëdeklarimit si fillim, për të vijuar pastaj me përgatitjen dhe dorëzimin e dosjeve të përfunduara dhe të dorëzuara pranë Drejtorisë së ALUIZNI-t, Qarku Tiranë. Dosjet e legalizimeve kanë përfshirë të gjitha zonat e territorit të Bashkisë Kamëz, si Bathore 1, 2, 3, 4, 5, 6, 7; Kamëz-Qendër 1, 2, 3, 4, 5; Frutikulturë, Valias, Laknas, Bulçesh e Zall-Mner. Gjithsej janë 12571 dosje që i janë dorëzuar ALUIZNI-t. Gjatë vitit 2007 – 2008, kur qeverisja vendore, në bazë të ligjit të mëparshëm, kishte në kompetencë verifikimin e dosjeve,
Bashkia Kamëz ka bërë matjen e 3003 objekteve informale, që më pas ia ka përcjellë ALUIZNI-t Qarku Tiranë, duke ndihmuar këtë institucion në ecurinë e procesit të legalizimit. Pas kësaj, bashkëpunimi i Bashkisë Kamëz me Drejtorinë e ALUIZNI-t ka qenë i vazhdueshëm, si në terren ashtu edhe në korrespondencën ndërmjet institucioneve. Tashmë, mbi 7500 objekte të kësaj zone kanë kaluar në fletoret zyrtare për të vijuar proçedurat me pagesën e faturave të llogaritura në bazë të sipërfaqes së ndërtimit për banesën dhe sipërfaqes së truallit të konfirmuar me planimetri dhe genplan nga ALUIZNI. Ndërkaq, vijon procesi edhe për pjesën tjetër të deklarimeve për finalizimin e legalizimeve. Përfundimi i procesit të legalizimeve ka rëndësi si për legalizimin e pronësisë së qytetarëve, ashtu edhe në të ardhurat e bashkisë për investimet e saj në procesin e zhvillimit urban të qytetit.