Deri pak muaj më parë sapo futeshe në zonën e Paskuqanit dhe shikoje anën tjetër të lumit vihej re qartë diferenca e dy botëve të ndryshme. Nëse në anën përballë dukeshin pemë të mbjella dhe investime të bëra në këtë anë ishte një zonë e lënë djerrë, pa sistemim, pa pemë, pa infrastrukturë. Për të transformuar zonën e Bregut të Lumit në Paskuqan dhe kthimin në normalitet, Bashkia Kamzë po vijon investimet dhe punën e përditshme. Ditën e mërkurë me iniciativë të kryetarit të Qarkut Tiranë, Aldrin Dalipi dhe kryetarit të Bashkisë Kamëz, Rakip Suli u zhvillua aksioni për mbjelljen e qindra fidanëve për krijimin e miniparqeve dhe zhvillimin e zonës.
“Nisëm në Kamëz për herë të parë aksionin masiv të mbjelljes së fidanëve sëbashku me kryebashkiakun Rakip Suli, bashkinë e qytetit, aktivistë të EkoMendje. Gjelbërimi në këtë pjesë të lumit Tirana do të vazhdojë, krijimi i parqeve të vogla në funksion të qytetarëve. Pastërtia tashmë vihet re kudo,” u shpreh kryetari i Qarkut, Aldrin Dalipi. Dalipi u shpreh se tashmë lumi Tirana nuk është një ndarje midis dy botëve, nga njëra anë dhe ana tjetër. Kryebashkiaku Suli bashkë me skuadrën e tij kanë një plan zhvillimi, ndërsa Kamza tashmë ka një transformim të jashtëzakonshëm përsa i përket gjelbërimit dhe pastërtisë. Nismës iu bashkuan nxënës të shkollës “Isa Boletini” të Paskuqanit dhe punonjës të Ndërmarrjes së Pastrim-Gjelbërimit në Bashkinë eKamzës. Kryebashkiaku Suli falënderoi për iniciativën z.Dalipi si dhe aktivistët e organizatës EkoMendje dhe u shpreh:
“Ne po punojmë çdo ditë për përmirësimin e jetës së qytetarëve, jemi të gjithë të
angazhuar në këtë drejtim. Ju bëjmë thirrje të rinjve t’ju bashkohen iniciativave të tilla që i shërbejnë të tashmes dhe së ardhmes, për një qytet cilësor dhe konkurrues”.
Aksioni do të vijojë dhe paralelisht do të punohet për pastrimin e lumit dhe thellimit të tij për të evituar përmbytjet që ndodhin shpesh dhe gjithashtu vendosjen e koshave për plehrat.
Dy drejtuesit vendorë premtuan se zona do të ketë edhe korsi për biçikletat dhe disa miniparqe me stola duke u kthyer në një vend pushimi dhe relaksimi për banorët e Paskuqanit.
Ky aksion do të nalizohet me projektin e Parkut të Madh të Paskuqanit duke e kthyer zonën e Kamzës në një nga pjesë më të gjelbëruara në Qarkun e Tiranës.