Kamza do të vazhdojë të zhvillohet çdo ditë, qytetarët do të kenë mbështetjen e bashkisë dhe qyteti do të kthehet në kantier ndërtimi sa i përket kryerjes së investimeve me interes publik, pa harruar as mbështetjen që bashkia do t’u japë dhe investimeve private të mirëpritura në qytetin tonë.
Përkrahja ndaj qytetarit do të jetë primare dhe ky është obligimi i kryetarit të Bashkisë Kamëz Rakip Suli. Pavarësisht situatave të vështira të kaluara si tërmeti dhe pandemia e Covid 19, kjo nuk do ta ndalë bashkinë Kamëz që të kryejë investime me interes publik aty ku qytetari e kërkon, por dhe të marrë nisma të tjera me efekt të karakterit social duke i ardhur në ndihmë direkt komunitetit.
Pas propozimit të kryetarit të Bashkisë Kamëz Rakip Suli, Këshilli Bashkiak ka miratuar tre vendime shumë të rëndësishme sa i përket qytetit, vendime që iu vijnë direkt në ndihmë qytetarëve. Gjatë mbledhjes online, Këshilli Bashkiak miratoi listën me 825 përfituesit nga grantet e rindërtimit.
Eshtë ky një premtim i mbajtur i bashkisë Kamëz në bashkëpunim me qeverinë pas një pune kolosale në terren nga grupet e ekspertëve tanë ku kanë verifikuar çdo dëm të mundshëm të ndodhur, kontaktuar dhe pritur çdo ditë në zyrat e bashkisë dhjetëra herë qytetarët, dhënë çdo ndihmë atyre deri tek asistenca për aplikimi në sportelet e hapur enkas. Pas këtij vendimi shumë të rëndësishëm të Këshillit Bashkiak, pritet riparimi dhe ndërtimi i shtëpive. Qytetarët do të marrin grantin dhe do të riparojnë vetë shtëpitë e tyre.
Një tjetër vendim shumë i rëndësishëm nga Këshilli Bashkiak i marrë pas kërkesës së kryebashakikut Suli është dhe ulja e tarifës abuzive, për ndërtimet e reja. Tashmë nga 70.000 lekë që qytetarët paguanin deri më tani, është bërë 30.000 lekë. Me uljen e kësaj tarife, çdo familje kursen 40.000 lekë. Eshtë kjo një ndihmë e rëndësishme me efekt social duke ndikuar në buxhetin e çdo familje.
Përmirësimi rrënjësor i infrastrukturës së qytetit me standartet bashkëkohore të kryerjes së punimeve, mbetet prioritet i Bashkisë. Kujtojmë që veç përmirësimit përmes rikonstruksionit të objekteve arsimore ekzistuese me standartet bashkëkohore, ndërtimi i godinave të reja aq të munguara në qytet prej vitesh, nën vëmendjen e kryebashkiakut Rakip Suli janë dhe investimet në infrastrukturën rrugore dhe atë të KUN dhe furnizimit më ujë të pijshëm. Zoti Suli i ka kërkuar Këshillit Bashkiak miratimin e ndërtimit të rrjetit të ujësjellësit dhe KUN, në zonën Demokracia-Bashkim Gazidede-Frutikulturë si dhe “Shkëndinja-Shebeniku”.
Një tjetër vendim i rëndësishëm ishte dhe zgjedhje e kryetarit të ri të Këshillit Bashkia. Për herë të parë në historinë e zgjedhjeve lokale në Kamëz, anëtarët e Këshillit Bashkaik i kanë besuar drejtimin përmes votës së tyre një gruaje duke e zgjedhur znj.Merita Prenga si Kryetare të Këshillit Bashkiak.