Qyteti i Kamzës së shpejti do të ketë një pamje të re. Pas një investimi mjaft të rëndësishëm që pritet të realizohet, qytetarët do të jenë dëshmitarët e ndryshimit rrënjësor të qendrës së qytetit të tyre, që kurrë nuk u pa e arsyeshme të vihet dorë nga Bashkia e mëparshme përgjatë 12 viteve e më tepër.
Që ditët e para të marrjes së detyrës, pas besimit që qytetarët i dhanë kryebashkiakut Suli, ai mori angazhimin personal për të përdorur me efikasitet çdo taksë të qytetarëve duke i kthyer në investime për qytetin, të prekshme për qytetarët, por dhe duke bashkëpunuar me qeverinë dhe donatorët që Kamza të ndryshojë rrënjësit falë investimeve të duhura dhe të kërkuara nga vetë komuniteti, pas konsultimit me ta.
Lajmin e kryerjes së një investimi të pritur prej tre dekadash nga qytetarët e Kamzës e jep vetë kryetari i Bashkisë Kamëz Rakip Suli i cili shkruan: – “Pas 30 vitesh, falë mbështetjes së qeverisë brenda 10 ditëve fillon puna për rehabilitimin e qendrës së Kamzës! Ky proçes do të përfshijë një sërë punimesh, ndër të cilat : rrjeti i kanalizimeve, ndërtimi i pedonales, ndërtimi i lulishtes, ndërtimi i tregut, rikonstruksioni i fasadave të pallateve etj!”
Më tej duke e ilustruar me imazhe si paraqitet sot qendra e Kamzës, Bashkisë së gjashtë më të rëndësishme në vend, kryebashkiaku Suli thotë se: “Në fotot e mëposhtme tregohet qartazi gjendja e mjerueshme e qendrës së Kamzës për kaq vite radhazi!”.
Pra, tashmë ka marrë udhë ky investim i rëndësishëm për Kamzën falë bashkëpunimit të Bashkisë dhe Qeverisë, i shumëpritur nga qytetarët të cilët janë mashtruar në mënyrë sistematike sepse në këtë zonë kurrë nuk është investuar nga bashkia apo qeveritë më parë.
Kryerja e këtij investimi për qendrën e Kamzës do të ketë një impakt social tek qytetarët, pasi do t’iu japë atyre mundësinë të zhvillojnë pronën e tyre si dhe të mund të jetojnë në lagjet e tyre në kushte më të mira, falë një infrastrukture bashkëkohore që do t’iu mundësohet.