Historiku i Qytetit
Kamza tashmë është një qytet në zhvillim intensiv. 20 vitet e fundit e kanë dëshmuar këtë, sidomos që nga viti 2007 e deri më sot Kamza ka shënuar një progres të jashtëzakonshëm. Ky progres vihet re në të gjitha fushat, në numrin e popullsisë, në infrastrukturë, në institucione shtetërore, arsimore, shëndetësore, kulturore, sportive etj. Po ashtu, lulëzimi i sipërmarrjes së lirë, me trefishimin e numrit të bizneseve, është një tregues i vitalitetit të këtij qyteti, i cili zhvillohet nga dita në ditë.
Megjithatë, më herët, Kamza nuk ka pasur pamjen që ka sot, por ka qenë një fushë, e cila në pjesën më të madhe të kohës ishte e përmbytur nga ujërat dhe, si rrjedhojë, ka qenë një zonë jo shumë e populluar. Para 22 shekujsh, tokat e Kamzës kishin kryeqendër Prezën. Rreth viteve 1250 të erës sonë, ngulimet në zonën e Kamzës ishin rreth brigjeve të lumenjve të Tiranës e Tërkuzës, periudhë kjo në të cilën zotër të këtyre tokave ishin Tanush e Karl Topia. Kjo trevë, në kohën e vërshimeve turke, u bashkua me Principatën e Kastriotëve. Në të katër rrethimet e Krujës, 1450-1478, Kamza u dogj dhe shumë bujq u morën rob nga Sulltan Murati II dhe (i biri) Mehmeti II.
Rreth vitit 1431 del në dritë emri Kamëz. Janë dy histori që tregojnë prejardhjen e emrit Kamëz
Emri Kamëz lindi rreth vitit 1430. Dëshmitë e arritura deri në ditët tona pohojnë se në tokat e Kamzës kishte shumë ullinj të egër. Rreth trungut mbinin filiza që quheshin kamza ulliri dhe për këtë arsye tokat midis lumit të Tiranës dhe Tërkuzës u quajtën Kamza.
Në vitin 1431 del në pah emri Kamëz, e cila akoma nuk ka autorësinë e saj, por sipas gojëdhënave, kur një grua e vjetër po tirrte lesh, kalimtarë të rastit e pyesin: “Çfarë po bën moj nënë?” Gruaja u përgjigjet: “Po thur në kamëz”. Kështu mendohet se i ngeli ai emër, që edhe sot nuk ka ndryshuar, por ka marrë përmasa të tjera.
Në vitin 1700 filluan të shtoheshin shtëpitë me fshatarë që zbrisnin nga malësitë.
Në këtë kohë Kamzën filluan ta shihnin me sy lakmitarë për ta bërë pronë të tyre. Pretendentët ishin fiset e mëdha të Bushatllinjve të Shkodrës dhe të Ahmet Kurt Pashës së Beratit.
Për një periudhë 70-vjeçare ata zhvilluan luftëra mes tyre, por në fund asnjë nuk fitoi. Në këtë periudhë Kamza u rrënua shumë.
Feudalët e Krujës, Toptanët, me ndihmën e Turqisë, në vitin 1830, u bënë zotërues të Tiranës dhe të Kamzës. Të gjithë atyre që u shërbenin, u jepnin parcela toke dhe kështu filloi ripopullimi i Kamzës. Në periudhën pas shpërndarjes së Lidhjes së Prizrenit, edhe në Kamëz u krijuan çeta për të luftuar kundër turqve. Organizatori i parë për krijimin e tyre në këtë zonë qe patrioti Murat Toptani, i cili më 5 maj 1882, krijoi garnizonin e parë ushtarak që fillimisht pati 50 luftëtarë, ku shquheshin: Mustafa Ismaili, Hamdi Ismaili, Selim Beshiri, Hajdar Sina, Bajram Doma, Rexhep Maloku, Roc Tresa, Sadik Karaj, Bajram Qejvani me në krye Refik Toptanin.
Pas Çlirimit, Kamza u formua në fillim si një ekonomi shtetërore me karakter kooperativist dhe pas reformës agrare, Kamza u bë një nga ndërmarrjet bujqësore më të mëdha në Shqipëri. Kjo ndërmarrje është njohur me emrin ndërmarrja bujqësore “Ylli i Kuq” dhe shërbente si furnizuesja kryesore e kryeqytetit me prodhime të ndryshme bujqësore dhe blegtorale. Kjo periudhë vazhdoi për rreth 45 vjet dhe pas vendosjes së demokracisë në Shqipëri edhe Kamza pësoi ndryshime shumë të thella demokratike.
Në vitin 1991, në Kamëz vendoset pluralizmi edhe në ndarjen e pushtetit lokal, i cili drejtohej me balancë politike të të dyja forcave kryesore të atëhershme, që përfaqësonin PPSH-në nga njëra anë dhe forcat demokratike, kryesuar nga Partia Demokratike nga ana tjetër. Në vitin 1992, për herë të parë si në gjithë Shqipërinë, u zhvilluan zgjedhjet e para demokratike, si për pushtetin qendror dhe atë lokal. Në këtë moment, Kamza, si njësi vendore, mbante emrin komunë. Në Kamëz fitoi Partia Demokratike. Në këtë kohë në Kamëz regjistroheshin vetëm 12 500 banorë. Në zgjedhjet e radhës për pushtetin lokal, që u zhvilluan në vitin 1996, me një vendim të qeverisë demokratike, Kamza ndryshon emërtimin nga komunë në bashki. Ky moment shënon edhe krijimin e institucionit Bashkia Kamëz. Që nga ajo kohë, numri i banorëve ka ardhur gjithnjë në rritje. Sipas Censusit 2011 (procesi i regjistrimit të banorëve dhe banesave në gjithë Shqipërinë), Bashkia e Kamzës u rendit e 6-ta për nga numri i popullsisë dhe e 5-ta për nga numri i ndërtesave. Kjo e bën Bashkinë e Kamzës dhe qytetarët e saj si një ndër kontribuuesit kryesorë të urbanizimit të Shqipërisë.