Bashkia Kamëz vijon prej disa ditësh aksionin për pastrimin e zonave të ndryshme në qytet, ku punonjësit e terrenit dhe jo vetëm po punojnë me intensitet për largimin e mbetjeve.
Aksionit të pastrimit këtë të dielë tek Bregu i Lumit iu bashkua edhe kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro dhe zv/ministrja e Mbrojtjes Dallëndyshe Bici.
Kryetari i Bashkisë së Kamzës Rakip Suli shprehu rëndësinë e mbajtjes së mjedisit pastër, ndërsa theksoi se për këtë, para së gjithash nevojitet ndryshim mentaliteti për të mos hedhur mbetjet kudo. Këto nisma dhe mjedisi vlen për të gjithë dhe në veçanti për fëmijët tanë tha Suli.
Ministrja e Turizmit dhe e Mjedisit Mirela Kumbaro u shpreh se kjo iniciativë është në vazhdimin e një plani të pastrimit kombëtar që ka nisur si përgatitje një muaj më parë.
Veliaj tha se mbajtja pastër e çdo zone në kryeqytet, nuk bën gjë tjetër veçse i rrit vlerën pronës.
Ky aksion i gjerë pastrimi do të vazhdojë edhe ditët në vijim deri në pastrimin e plotë të zonës.