Ky vit i ri shkollor e gjen Kamzën me infrastrukturë arsimore model dhe rrënjësisht të transformuar me çerdhe, kopshte dhe shkolla model për nxënësit e qytetit. Si kurrë më parë në këto 30 vite arsimi ka pësuar një hov transformues falë një serie investimesh nga bashkia dhe qeveria duke u kthyer fëmijëve, mësuesve dhe prindërve dinjitetin e munguar prej vitesh.
Investimet në arsim, kanë qenë prioritet absolut i Bashkisë. Kryebashkiaku Rakip Suli në kohë rekord hartoi strategjinë e re për t’i sjellë qytetit çerdhe, kopshte dhe shkolla të reja të rikonstruktuara dhe të ndërtuara me parametra bashkëkohorë.
Në mënyrë sistematike ka vijuar puna në objektet arsimore ku mund të përmendim ndërtimin e shkollës 9-vjeçare “Halit Coka” në Bathore, kopshtin “Halit Coka” në Bathore, kopshtin “Niko Hoxha” në Valias, kopshtin “Lidhja e Prizrenit” në Paskuqan dhe shkollën “ Jashar Hoxha” në Paskuqan.
Gjithashtu kanë pësuar rikontruksion total dhe transformim tërësor edhe shkolla 9-vjeçare ”Tahir Sinani” në Paskuqan, shkolla 9-vjeçare “Dom Nikollë Kaçorri” në Laknas, gjimnazi “Ibrahim Rugova” në Kamëz, shkolla 9-vjeçare “Ahmet Zogu” në Bathore, gjimnazi “Isa Boletini” në Paskuqan, shkolla 9-vjeçare “Niko Hoxha” në Valias të Vjetër, kopshti “Dom Nikollë Kaçorii” në Laknas, kopshti “Kamza e Re” në Kamëz, kopshti “Ahmet Zogu” në Bathore, dhe kopshti “Jashar Hoxha” në Paskuqan.
Në Babrru hap dyert tani dhe çerdhja publike me kushtet më të mira për vogëlushët që për vite me rradhë i ka munguar zonës, duke krijuar shqetësime për prindërit. Një institucion dinjitoz ku çdo prind është i qetë për rritjen dhe edukimin e fëmijës së tij. Gjithashtu ka nisur puna dhe për ndërtimin e çerdhes në Kamëz e cila shumë shpejt do të jetë gati për vogëlushët e zones.
Shumë shpejt nisim punën dhe për ndërtimin e shkollës 9-vjeçare “Hilary Clinton” në Bathore, ndërtimin e gjimnazit “Sulejman Elezi” në Zall-Mner, rikonstruksionin e shkollës 9-vjeçare “Ibrahim Basha” në Bulçesh, rikonstruksionin e shkollës 9-vjeçare “Azem Hajdari” në Kamëz dhe rikonstruksionin e kopshtit “Azem Hajdari” në Paskuqan.